Loading Events

Galeria FAB

January 15 @ 10:00 am - January 16 @ 8:00 pm

Ekspozita ‘’PEZULL” @Galeria FAB

Të nderuar miq.. Galeria FAB ka kënaqësinë t’ju ftojë në hapjen e ekspozitës personale të:
Blerta Xhomo
‘’PEZULL”
Kurator: Vladimir Myrtezai
Hapja: dt. 6 janar, ora 18.00
Kohëzgjatja: 6 / 16 janar, 2020
Galeria FAB / Universiteti i Arteve

Teksti kuratorial / Të rivitalizosh konceptin e mjeshtërisë

Krijimtaria në Shqipëri, veçmas piktura si medium, ka pësuar një kalvar të thikët uljengritjesh dhe propozimesh aq të ndryshme dhe akrobatike, saqë të kujtojnë atë thënien e famshme që edhe gomari mund të fluturojë. Natyrisht këtu implikohen edhe gjasa të tjera irracionale, që mund të bëjnë qendrën e një debati pa mbarim, gjithnjë në emër të asaj që njerëzit ndiejnë dhe kryhen sipas mënyrës së tyre. Për një moment u duk sikur mjafton të ishte qenie humane për të besuar se brenda teje banon një artist, gjë që i dha krahë një diversiteti shprehjesh ku dukej pothuaj e pamundur të mblidhje në grusht një parashikim të rrjedhës së kësaj energjie që derdhej lehtësisht gjithandej. Shumë mirë që ndodhi kështu, sepse njerëzit morën në dorë çelësin e lirisë dhe provuan një truall shumë të kontrolluar më parë nga të tretët, apo nga formulat e drejtimit politik.
Ishte si një diarre e begatë nën efektin e një lirie të pakorrektueshme në hapat e saj të parë. Aq shumë u popullarizua ky medium, saqë edhe ata që e quanin veten pjesëtarë të këtij tempulli u vetëpërmbajtën, ose edhe ndërruan kurs, pikërisht si pasojë e kësaj mësymjeje, që në njëfarë mënyre sikur e hoqi disi atë misterin përndritës e të parapërgatitur të piktorëve të terrenit, që vijonin të rropateshin në konflikt me veten për t’i gjetur fundin një mediumi mijëra-vjeçar.
Të pakët qenë ata që qëndruan besnikë të një dashurie të vjetër e të pakryer, duke mos u ndjerë të konkurruar në punën e tyre, por edhe si një disiplinë për të cilën kishin investuar tashmë një jetë të tërë.
Gjithsesi piktura do të mbetet një nga hapësirat artistike ende të paezauruara në lodërtinë e ndjenjave, ku artistët mendojnë që me fare pak mund të sjellin Qenien përmes këtij komunikimi metafizik, që herë pas here ngjan sikur e ka kryer misionin e saj. Gjithsesi kurrë të mos themi kurrë, si sugjeron loja shtegtuese për t’i dhënë jetëgjatësi një medium të konsoliduar tashmë në shtratin dhe historinë e vet. Gjithçka lëviz duke u përsëritur në rrathë ciklikë dhe rivjen në skenë në emër të talenteve të rinj dhe propozimeve të reja. Sekush ka të drejtën të çmendet në mënyrën e vet, duke provuar thellësi të reja perceptimi dhe teknikash që i ndan me të tjerët.
Po ta vështrojmë si trajektore, arti është një propozim gjithnjë i ri, në përshtatje me filozofitë mbështetëse dhe me favorin e së resë, që e bën të kapërdijë etapa dhe flukse në emër të po këtyre propozimeve, që në thelb nuk se janë tjetër veçse zgjatimet e një dialogu të mbivendosur mbi shpatullat e historisë së vet, nën binomin mohim-pohim, duke na shfaqur kështu ecejake të mendimit krijues. Shpesh hasim edhe një plan disi më vertikal e përmbysës, që na risjell një cikël zhvendosjesh të reja në sintaksën e imazhit. E gjitha kjo si një propozim i ri e aktiv në botën e komunikimit dhe ndjeshmërive që vërshojnë nga periferia në qendër dhe anasjelltas, një ritual i njohur tashmë që rreket të risjellë në qendër të publikut efektet e një plugimi të sofistikuar të ndjeshmërisë njerëzore. Masa, dendësia, ndikimi, koha, tingulli dhe koncepti janë elemente që kanë shtuar kompleksitetin e ndërhyrjes, duke e bërë veprën e artit një arenë aleancash dhe miksimesh nga më irracionalet. Gjithsesi, në themel të çdo filozofie arti mbetet gjendja shpirtërore dhe rrugët e sofistikuara për ta sjellë atë të copëzuar përmes qëndrimesh inteligjente si një ushqim të ri kulturor.
Në optikën përgjithësuese të historisë së artit, arti i rrafshit ka bërë për vete goxha njerëz, sepse në të gjitha propozimet e mundshme të kryeveprave, pjesa hovëse si propozim është shprehur nëpërmjet një skice apo shenje disi përjashtuese.

Përvijimet post për një personazh vetëprotagonist apo të paangazhuar na ofrojnë qëndrime nga më tërheqëset. Ka propozime lineare, që vijnë në rritje të profilit të tyre, duke thelluar të njëjtën gamë idesh dhe mjetesh me një ngulm të shtrirë në kohë. Ka nga ata që janë disi më shtratprishur, që në thelb ripohojnë të njëjtën nevraturë, por disi të aksidentuar në formë, sidoqë më të rinovuar. Ka të tjerë që ndahen në etapa vëzhgimi dhe realizimi, ku faktori kohë është një aleat kryesor i profilit të tyre.
Kësaj radhe kam nën vëzhgim artisten Blerta Xhomo, si një personazh që mendon se e ke mbërthyer në grusht, por ja që ndjen se ke gabuar në sigurinë tënde, sepse ajo ka udhëtuar në një tjetër drejtim, disi të çuditshëm, si për të të surprizuar dhe dhënë sigurinë që nuk ka ndërmend të jetë thjesht parashikimi që ke endur në kokë, një “ngjarje” që e shndërron marrëdhënien mes kuratorit dhe artistit në një rrethanë të pashkelur. Kjo bën të bien edhe supozimet mbi të ardhmen e një artisti.
Duke marrë nga pak nga dy profilet tipizuese të fundit, Xhomo vjen sërish me një tjetër pamësi, që e dimensionon pikturën e saj duke e thelluar përdrejt një pike të lartë perceptimi, duke na afruar një vetësiguri dhe maturi që të lejon të mendosh se e nesërmja do të jetë surpriza e radhës në krijimtarinë e saj; një lloj oksigjeni shpresëdhënës me të papriturat që sjell krijimtaria. Të duket sikur është në të njëjtën frymë të pikturës së saj rendëse, por në një epërsi për të kontrolluar e bërë të qarta struktura burimore që marrin shkas nga rrjedhjet e mëparëshme. Ajo vjen e sigurt, e çlirët dhe me një shkathtësi befasuese: shumë risi që e projektojnë autoren në një gjendje tjetër.
Ka disa elemente që e bëjnë këtë cikël të ri pikturash pjesë të një gjendjeje ambige, me një lloj ekoje që afrohej gjithnjë e me shumë me ngjashmëri qëndrimesh përkrahëse, me shenja feministe dhe me një lloj alegorie që mbrun ndjesi vetëmbrojtëse si zahire në këtë udhëtim të dyfishtë të personalitetit të saj.
Sot ndiejmë se ka ndodhur një shëndrrim qëndrimesh, qoftë në përmbajtjen emocionale, qoftë në drejtim të një lloj ristrukturimi që implikon femëroren në një ekuilibër kërkues. Jo vetëm në rastin e zgjedhjes së tematikave të brendshme të ritmit, por edhe në gamën e përmbajtur dhe në formatimin e hapsirës ku ajo synon të sublimojë emocionet e saj.
Loja e ritmeve dhe e teknikës së saj evokon edhe një herë traditën më të mirë të piktures, si një element emocional i organizimit ngjyror dhe peshës së motivit piktorik. Kemi të bëjmë me një lloj organizimi në rrafsh formal, që së largu pleksin një lloj vertikaliteti mbi qëndresën, ose një lloj përsëritjeje të një arkitekture të brendshme, pa kuptuar e zhbiriluar detaje që kanë të bëjnë me këtë epikë të heshtur.
Shmangia e modelit është kryesisht ndjesia që krijon për qëndresën, pa e shquar këtë element në ndonjë narrativë të shpëlarë, por në një unitet formash që të impresionon, ku shteg pas shtegu ndjen një lloj energjie që të bën të ndalosh për të gërmuar në kujtesën tënde historike. Është pikërisht ky element që e bën të zhdërvjellët e të sigurt artisten për të notuar e qetë me të papriturat e këtyre ujërave. Së brendshmi ajo kërkon me intuitë madhështinë e tërësisë që ndërtohet nga pjesët, duke e shfrytëzuar thjesht e si ritëm e jo si një narrativë ushqyese. Në këtë zgjedhje ajo arrin të dominojë hapësirën në një mënyrë sugjestive dhe imponuese, pikërisht duke iu shmangur asaj lloj materieje që përpiqet të rrëmbejë syrin me lojëra teksturash. Krejt kthjellët ajo i shërben ndikimit të saj përmes gjendjesh gati monokromatike, për të shtuar intensitetin dhe peshën e sugjestionit mbi shikuesin.
Kështu Blerta Xhomo na afron një entitet të ri strukturor. Tërësia që ajo oforn i orienton ndjesitë për interpretimin e hapësirës piktorike si territor që kultivon optimizëm, apo herazi si shkaktesë e një ekspresioni drite që kthehet në ritëm dhe energji (cikli me garat).
Ky lloj udhëtimi mund të sjellë surpriza të reja, pasi duket i
mbarsur me nukle që sapo kanë hovur. Në shtëpinë e një artisti pritet të ndodhë gjithçka, ngaqë ai pret të kryejë ciklin e tij/saj në një rrokullisje ritual drejt njohjes.
Mbetemi gjithnjë syhapur për të ndjekur këtë shtegtim, me shpresën që në këtë shtëpi nuk janë fonduar akoma ëndërrimi dhe ideja për të kuptuar uljengritjet e saj, apo propozimet që mund të sjellë në një tjetër udhëtim të sheshtë.
Xhomo është një personazh interesant në botën shqiptare, me një shquarje të ngulët për të qenë e pranishme me shenjat e saj piktorike.
Ajo të bën të besosh se arti është një e papritur, por edhe sakrificë për të mos rënë dakord me asnjë vizion kallp e me asnjë skemë që kërkon bindje.

Vladimir Myrtezai

Venue

Universiteti i Artve, Bulevardi Deshmoret e Kombit
Tirana, Tirana 1001 Albania
+ Google Map

Notification

Please on the checkout, define your desired Tour Dates.

Developed by Frakton & Designed by project.graphics