Ture në ekspozitën "Tirana Patience" - Into Albania Events
Loading Events

Galeria Kombetare e Arteve

February 6 @ 6:00 pm - 8:00 pm

Ture në ekspozitën “Tirana Patience”

Galeria Kombëtare e Arteve ka kënaqësinë t’ju ftojë në serinë e parë të tureve që zhvillohen në kuadër të Programit Publik në ekspozitën “Tirana Patience”. Turet në ekspozitë do të drejtohen nga Olsi Lelaj dhe Thomas Logoreci, të ftuar për të folur rreth pikturave të koleksionit si dhe nga artistët Doruntina Kastrati dhe Gentian Shkurti që do të bëjnë një prezantim të punëve të tyre të shfaqura në ekspozitë.
Aktiviteti nis në ora 18:00 me turin e parë të drejtuar nga Olsi Lelaj, vijon me Doruntina Kastratin dhe Gentian Shkurtin, dhe përmbyllet me një tur (në gjuhën angleze) nga Thomas Logoreci.

Ju mirëpresim!

_________________________

RRETH FOLËSVE

Olsi Lelaj
Olsi Lelaj është kërkues shkencor në fushën e antropologjisë së modernitetit pranë Departamentit të Etnologjisë në IAKSA. Nga shtatori 2017 është përgjegjës i Departamentit të Etnologjisë. Hulumtimet e tij, ndër të tjera, përfshijnë çështje që lidhen me: proceset klasëformuese dhe rolin e shtetit në modernitet; dijen etnografike në kontekste diktatoriale; ideologjitë moderne dhe intelektualët; hapësirat urbane postkomuniste.
Ai është autor i monografisë Nën shenjën e modernitetit: antropologji e proceseve proletarizuese gjatë socializmit shtetëror në Shqipëri (2015).
Artikujt e tij studimorë janë botuar në revista të ndryshme shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Po ashtu, ai është bashkëthemelues i seminarit permanent Përthyerje Antropologjike dhe Laboratorit të Antropologjisë Vizuale.

Doruntina Kastrati
Doruntina Kastrati është diplomuar për Grafik në Universitetin e Prishtinës. Doruntina jeton dhe punon midis Prizrenit dhe Prishtinës. Kastrati i ka prezantuar punimet e saj gjatë edicionit të dymbëdhjetë të Çmimit për Artistët e Rinj Vizual (2014) ‘Bashkë me ty po vdesin edhe lulet’ pranë Galerisë Kombëtare të Kosovës, ku u shpall fituese. Gjatë periudhës Janar – Mars (2015) ka qenë artiste in residence në Nju Jork, konkretisht në Programin e Studimit Ndërkombëtar dhe Programin Kuratorial (ISCP). Në Janar 2016 Doruntina ishte fituesja e edicionit të parë të Fondacionit “Hajde”, drejtuar nga artisti Petrit Halilaj. Në Shkurt 2017 do të hapë ekspozitën e saj të parë “Peisazh i Kuq” kuruar nga Vala Osmani tek Stacioni – Qendra për Artin Bashkëkohor, mbështetur nga Fondacioni “Hajde”. (2017) “Rrugë e Gjatë”, Autostrada Bienale, Prizren, Kosovë, (2018) “Pa Titull”, Athinë, Elefsina, (2019) “Transformim me Lori Lako”, Hapësirë Dëshmie, Gjenevë, Zvicër.

Gentian Shkurti
Gentian Shkurti ka studiuar Pikturë pranë Akademisë së Arteve në Tiranë, Shqipëri. Punimet e tij artistike janë ekspozuar në Qendrën ‘Georges Pompidou’ (Paris), Bienalen e 54-et të Venecias (Pavijoni i Shqipërisë), Muzeun ‘Fridericianum; (Kasel), Muzeun e Artit ‘Chelsea’ (Nju Jork), Muzeun ‘Ludwig’ (Muzeun Kombëtar të Artit Bashkëkohor, Budapest), Festivalin e Filmit në Lokarno, Muzeun e Artit Modern (Lubjanë), Galerinë Kombëtare të Kosovës, Galerinë Kombëtare të Arteve (Tiranë), Sammlung Essl (Klosterneuburg, Vjenë), Galerinë K&S (Berlin), Bienalen e Tiranës 1, etj. Disa prej punimeve të tij janë pjesë e koleksioneve publike në Muzeun ‘Ludwig’, Budapest dhe Muzeun ‘Essl’, Vjenë. Për momentin punimet e tij janë pjesë e një ekspozite të përhershme në Muzeun ‘Ludwig’ në Budapest.

Thomas Logoreci
Filmbërësi Thomas Logoreci ka shkruajtur skenarin e dokumentarit eseistik me metrazh të gjatë “Here Be Dragons” së bashku me filmbërësin e njohur Mark Cousin. Logoreci ka bashkë-shkruajtur dhe bashkë-drejtuar filmin “Bota” i cili ishte përzgjedhja shqiptare për nominim për çmimin “US Academy Awards” në vitin 2016. Thomas është gjithashtu një ndër themeluesit e “Albania Cinema Project”, një iniciativë me qëllim ruajtjen e trashëgimisë filmike shqiptare në rrezik.

Venue

Bulevardi Deshmoret e Kombit
Tirana, 1001 Albania
+ Google Map

Notification

Please on the checkout, define your desired Tour Dates.

Developed by Frakton & Designed by project.graphics